"Si do ta bëje Bujanoci këtë Asociacion, kur ka koalicion me partinë e Vuçiqit dhe Daçiqit" (Video)
Mbajtja e seancës së sotme në Preshevë ku është votuar pro themelimit të Asociacionit të Komunave Shqiptare në Luginë ka nxitur reagimin e dy deputetëve shqiptarë, të cilët kanë vlerësuar se ajo është bërë vetëm për marketing politik.Deputeti Riza Halimi dhe Shaip Kamberi thonë se kjo formë e politikës duhet marrë fund. Kamberi me këtë rast ka numëruar degradimet që janë bërë në Preshevë, duke thënë se është i paparë në historinë e këtij vendi.
“Rruga e euforive politike është shembulli shumë i afërt dhe i freskët i cili e turpëroi mbarë kombin, ai i heqjes së dhunshme të lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë. Ata që premtuan se le të guxojë Daçiqi të vijë ta hekë, ata që thanë se nëse hiqet japim dorëheqje, tash po na servisin skenarin e njëjtë”, u shpreh Kamberi, duke nënvizuar se kjo është arsyeja pse PVD nuk ishte pjesë e organizimit të sotshëm, raporton Titulli.com/
Ai me këtë rast theksoi se për themelimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare, grupi i Këshilltarëve të PVD-së në Preshevë dhe Bujanoc ka kërkuar seanca të veçantë të Kuvendeve Komunale në Bujanoc, Preshevë dhe Këshill kombëtar, ku do të diskutohej për Asociacionin por edhe mirënjohjen që iu nda Vuçiqit nga kryetari Ragmi Mustafa, gjë e cila nuk është pranuar.
I këtij mendimi ishte edhe deputeti Riza Halimi, i cili theksoi se Kuvendet Komunale paraprakisht nuk kanë zhvilluar asnjë diskutim.
“Qysh do ta boje, ta marrim shembull udhëheqja aktuale e Bujanocit këtë Asociacion të komunave me shumicë shqiptare kur për partner i kanë të gjitha partitë politike serbe në Bujanoc”, u shpreh Halimi.
Një test të radhës rreth përafrimit të qëndrimeve mes subjekteve shqiptare, Kamberi ka paralajmëruar për ditën e mërkurë, kur do të zhvillohet seanca e Kuvendit Komunal.
Për këtë mbledhje, si pikë e rendit të ditës nga PVD është propozuar aprovimin e vendimit për bashkëngjitje të komunës së Bujanocit Asociacionit që do të formohet.
Kamberi, i cili njëherit është kryetar i PVD-së në Bujanoc, tha se nëse pranohet një propozim i tillë për të qenë në rend dite në këtë Kuvend Komunal, atëherë me shumë gjasa edhe subjekti i tij politik do t’i bashkëngjitet nismës së Asociacionit. /Titulli.com/